Kosovë

Mandl: Liberalizimi i vizave për Kosovën është çështje urgjente, përmendet në programin e qeverisë së re në Gjermani

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl ka theksuar se programi i koalicionit në Gjermani që do ta formojë qeverinë e re përmend liberalizimin e vizave për Kosovën.

Mandl ka shkruar në Twitter se liberalizimi i vizave është urgjente dhe e rëndësishme për Kosovën, pasi kriteret janë përmbushur që një kohë të gjatë, raporton Gazeta Express.

“Në programin e qeverisë në Gjermani në mënyrë eksplicite përmendet liberalizimi i vizave për Kosovën. Kjo është urgjente dhe e rëndësishme. Kriteret janë përmbushur për një kohë të gjatë, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë rënë dakord prej kohësh”, shkroi eurodeputeti.

Rreth dy muaj pas zgjedhjeve federale, SPD, të Gjelbrit dhe FDP prezantuan dje marrëveshjen e tyre të koalicionit për një qeveri të përbashkët. Deri tani, ata kishin heshtur për shumë detaje.

Zgjerimin e BE me shtetet e Ballkanit Perëndimor partitë e koalicionit e mbështesin konkretisht. Veçanërisht Të Gjelbrit dhe socialdemokratët e patën këtë edhe pjesë të programit të tyre elektoral.

“Ne mbështesim procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe reformat e nevojshme për të përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagës”, thuhet në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë së ardhshme të Gjermanisë. “Në këtë kuadër, ne forcojmë shoqërinë civile dhe mbështesim fazat e tjera të paraanëtarësimit”. Qartë shprehen socialdemokratët, Të Gjelbrit dhe liberalët e FDP-së në marrëveshjen e koalicionit se “si hap pasues duhet të hapen kapitujt e parë të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duhet vendosur liberalizimi i vizave me Kosovën dhe të vazhdohen negociatat me Malin e Zi dhe Serbinë”, thuhet në marrëveshje.

“Ne mbështesim dialogun e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga BE, si dhe përpjekjet për të arritur paqe të qëndrueshme në Bosnje dhe Hercegovinë, bazuar në respektimin e integritetit territorial dhe kapërcimin e ndarjeve etnike. Paralelisht me negociatat e anëtarësimit, BE duhet të përmirësojë kapacitetin e tij pranues”, thuhet në marrëveshjen për qeverinë e ardhshme gjermane”, theksohet në marrëveshjen e koalicionit që do ta formojë qeverinë e re gjermane.

Lexo lajme tjera

Aktuale